Pas Ditës së Verës, është momenti i finalizimit të projekteve që kemi premtuar.
Sot ishim në Dasar për të parë nga afër gjurmën e rrugës që do të asfaltojmë në këtë fshat. Së bashku me Administratorin, Kryetarin e fshatit dhe inxhinierin e Bashkisë, verifikuam në terren çdo detaj, sepse vetëm duke qenë prezent aty në terren mund të përcaktohet saktë gjurma e rrugës, në përputhje me nevojat reale të banorëve.
Në këtë proces, vendosëm të zgjerojmë projektin fillestar me 130 ml linear shtesë, duke e çuar gjatësinë totale të kësaj rruge në 625 ml, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesave të komunitetit.
Rruga e Dasarit është ndër asfaltimet që do të realizojmë këtë vit, ashtu siç kemi premtuar.
Kjo do të jetë mënyra jonë e punës: duke prekur dhe verifikuar projektet paraprakisht në çdo njësi administrative..
Siguria e një qyteti nuk garantohet nga një institucion i vetëm. Ajo është rezultat i bashkëpunimit mes institucioneve dhe përdorimit të teknologjisë në shërbim të komunitetit.
Për herë të parë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Cërrik, instaluam në ambientet e këtij komisariati sistemin e monitorimit të kamerave të sigurisë së qytetit. Ky sistem do t’i shërbejë Policisë së Rendit për monitorim në kohë reale dhe reagim më të shpejtë në çdo situatë.
Qëllimi është i qartë:
më shumë kontroll në hapësirat publike
më shumë parandalim të rasteve problematike
më shumë siguri për qytetarët dhe bizneset
Kamerat e sigurisë janë vetëm një hap. Roli kryesor në monitorim dhe garantimin e rendit publik i takon Policisë së Shtetit, me të cilën do të vazhdojmë bashkëpunimin për ta zgjeruar këtë sistem hap pas hapi në zona të tjera të qytetit.
74/500 punë për të bërë…
Një tjetër hap përpara në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe forcimin e sigurisë në qytetin tonë.
Ka disa punë që ndoshta nuk duken të mëdha në hartë, por kur i sheh nga afër e kupton sa shumë ndryshojnë jetën e përditshme të një lagjeje. Një nga këto është puna që realizuam në bllokun e banesave pranë shkollës “Aleks Buda” në lagjen nr. 2 të qytetit të Cërrikut.
Vendosëm ta marrim qytetin bllok pas blloku, duke filluar nga gjërat që e bëjnë një lagje të jetueshme dhe të bukur:
sistemimi i trotuareve
vendosja e stolave
mbjellja e disa pemëve
vijëzimet rrugore
ndriçimi i brendshëm i lagjes
Janë ndërhyrje të vogla në dukje, por kur bashkohen krijojnë një hapësirë ku banorët ndihen mirë, ku fëmijët luajnë më të sigurt dhe ku lagjja merr pamjen që i ka hije një qyteti.
Natyrisht, ka ende punë për të bërë. Asfaltimi i segmenteve që janë hapur nga ndërhyrjet e ujësjellësit është një nga hapat e radhës, ndërsa fasadat e pallateve mbeten një tjetër sfidë që duam ta përballojmë për këtë bllok.
Ndërkohë, puna nuk ndalet.
Këtë verë asfaltimet në lagjen nr. 1 do të jenë një nga sfidat tona kryesore.
Por paralelisht me projektet e mëdha, janë edhe punët e përditshme të mirëmbajtjes, ato që i bëjnë çdo ditë më të rregullta lagjet tona. Dhe këto realizohen falë punonjësve tanë të mirëmbajtjes, atyre të mirëve, që janë çdo ditë në terren.
Ne do të vazhdojmë bllok pas blloku, lagje pas lagjeje, derisa çdo cep i qytetit të marrë kujdesin që meriton.
Bashkia Cërrik nënshkroi marrëveshjen për Fondin Social së bashku me 8 bashki të tjera, një hap i rëndësishëm për forcimin dhe zgjerimin e shërbimeve sociale në nivel vendor.
Bashkia Cërrik ishte gjithashtu pjesë e panelit të diskutimit si një shembull i praktikave të mira në ngritjen dhe ofrimin e shërbimeve sociale. Përvoja e saj tregon se kur qeverisja vendore merr rolin e saj si koordinatore dhe udhëheqëse, mund të ndërtojë shërbime reale, funksionale dhe të qëndrueshme për qytetarët.
Ky model u ndërtua mbi një partneritet të fortë lokal mes Bashkisë Cërrik dhe organizatave të shoqërisë civile , si dhe falë përdorimit të kombinuar të:
Programit të Bashkimit Evropian për Kujdesin Social
Fondit Social Shtetëror
Të dy instrumentet, të ndërthurura së bashku, nuk krijuan vetëm shërbime të reja, por i dhanë jetë dhe vazhdimësi shërbimeve sociale në Cërrik.
Përmes Qendrës Multifunksionale Komunitare dhe Njësisë Lëvizëse, për 3 vite do të ofrohen shërbime të integruara për:
Fëmijë dhe të rinj
Familje në nevojë
Persona me aftësi të kufizuara
Të moshuar
Gra dhe vajza në situata dhune
Mbi 1,500 qytetarë pritet të përfitojnë drejtpërdrejt dhe mbi 2,500 të tjerë indirekt, përmes këshillimit psikosocial , programeve edukative , aktiviteteve komunitare dhe shërbimeve në terren .
Ky model bashkëpunimi ndërmjet pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore tregon se kur investohet në shërbime cilësore dhe të qëndrueshme, ndikimi në jetën e qytetarëve është konkret, i prekshëm dhe afatgjatë.