TETORI ROZË – SË BASHKU PËR NDËRGJEGJËSIMIN DHE JETËN!
Gjatë muajit Tetor Rozë, në kuadër të aktiviteteve ndërgjegjësuese për luftën kundër kancerit të gjirit, në Qendrën Multifunksionale të Bashkisë Cërrik u zhvillua një aktivitet informues, në bashkëpunim me mjekë dhe infermierë të Qendrës Sociale dhe Shëndetësore të Bashkisë Cërrik.
Aktiviteti kishte në fokus informimin dhe ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e kontrolleve të rregullta, diagnostikimit të hershëm dhe kujdesit për shëndetin e grave dhe vajzave. Kontrolli në kohë mund të shpëtojë jetë!
Një moment i veçantë i takimit ishte ndarja e eksperiencave personale nga gra që e kanë fituar betejën me kancerin e gjirit. Historitë e tyre frymëzuese përcollën mesazhe shprese, force dhe kuraje, duke na kujtuar se mbështetja, informimi dhe solidariteti janë thelbësorë në këtë rrugëtim.
Të kujdesemi për veten, të kontrollohemi në kohë dhe të qëndrojmë pranë njëra-tjetrës!
Në Kampionatin Europian të Peshëngritjes Junior & U23, sportistët e ekipit të Shtermenit, nën drejtimin e Leonard Toskës, trajnerit që me durimin e mjeshtrit dhe intuitën e një zbuluesi talentesh formon kampionë, arritën sërish rezultate të shkëlqyera:
Ertjan Kofsha — KAMPION EUROPE NË SHKËPUTJE!
Ertjan Kofsha — medalje argjendi në dygarësh!
Samuel Rrasa — medalje e bronztë në stilin e shtytjes!
Pas këtyre medaljeve qëndrojnë vite pune, disiplinë dhe përkushtim i përbashkët i sportistëve dhe trajnerit të tyre.
Urime Ertjanit, Samuelit dhe trajnerit Leonard Toska! Krenari për Shtermenin dhe peshëngritjen shqiptare!
Sot, në ambientet e Qendrës Multifunksionale të Bashkisë Cërrik, organizuam një aktivitet të veçantë me moshën e tretë, me qëllim promovimin e rolit dhe kontributit të të moshuarve në familje dhe në komunitet.
Përmes fotografive, bisedave dhe kujtimeve, të moshuarit u inkurajuan të ndajnë me ne histori, përvoja dhe momente të çmuara nga jeta e tyre. Çdo kujtim është një histori, çdo rrudhë një përvojë dhe çdo fjalë një mësim për brezat që vijnë.
Ky aktivitet ishte një mundësi për të socializuar, për të buzëqeshur dhe mbi të gjitha, për t’u ndjerë të vlerësuar, të dëgjuar dhe të përfshirë.
Të moshuarit nuk duhen kujtuar vetëm më 1 Tetor. Ata meritojnë vëmendjen, respektin, dashurinë dhe mirënjohjen tonë çdo ditë.
Le të vazhdojmë t’i kemi gjithmonë në vëmendje, sepse ata janë kujtesa, urtësia dhe një pjesë e çmuar e familjeve dhe komunitetit tonë.
Zhvilluam me sukses aktivitetin “Udhëheqja në Veprim – Ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët” me të rinjtë me energji e plot ide të Shtepanjës!
Ky aktivitet kishte në qendër zhvillimin e aftësive lidershipit, nxitjen e bashkëpunimit dhe fuqizimin e të rinjve për të qenë aktorë aktivë në komunitetin e tyre.
Gjatë takimit:
Lojëra ndërvepruese & teambuilding: Zhvilluam ushtrimin e “rrjetit të bashkëpunimit” me fill, për të kuptuar se si çdo ide dhe çdo anëtar është i rëndësishëm në një ekip.
Punë në grupe & Prezantime: Të rinjtë punuan në grupe, hodhën idetë e tyre në postera dhe i prezantuan ato me mjaft vetëbesim.
Krijimi i Grupit të Rinjve të Shtepanjës: Hodhëm bazat për një grup të vazhdueshëm që do të ndërmarrë nisma e projekte të reja në zonë.